Edhe pse tregu i aksioneve në SHBA arriti një rekord të ri gjatë javës së kaluar, java përfundoi me një rënie të lehtë të çmimeve, pas ashpërsimit të qëndrimit të presidentit Trump mbi tarifat doganore.

Indeksi S&P 500 u ul me 0.3% duke zbritur në 6,260 pikë, ndërsa Nasdaq shënoi gjithashtu një rënie të vogël. Shkak për këtë u bë tensionimi i marrëdhënieve tregtare të SHBA-së me disa partnerë kryesorë, ndërkohë që afati 90-ditor për shtyrjen e uljes së tarifave mbaron në fillim të prillit.

Gjatë javës, Trump kritikoi ashpër Japoninë, Korenë e Jugut, Kanadanë, Brazilin dhe Filipinet, ndërsa fundjavën e kaloi duke njoftuar tarifa të reja kundër Meksikës dhe Bashkimit Europian. Konkretisht, Meksika dhe BE-ja morën paralajmërime për tarifa prej 30% që pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Për Meksikën, presidenti Trump e justifikoi këtë hap me “kontributin e dobët në parandalimin e kontrabandës së drogës”, ndërsa për BE-në, ai u ankua për “politikat tarifore dhe jotarifore” që, sipas tij, krijojnë disbalancë dhe nuk janë reciproke.

Përveç këtyre, SHBA ka vendosur edhe taksa të larta për importe të tjera, si 50% për bakrin dhe deri në 200% për disa produkte farmaceutike.

Në reagim, Bashkimi Europian tha se do të ndjekë një qasje të dyfishtë: vazhdim të negociatave me SHBA-në dhe përgatitjen e masave hakmarrëse, duke i pezulluar këto masa deri në fillim të gushtit. Megjithatë, kjo situatë pritet të vërë në provë edhe unitetin brenda vetë BE-së, për shkak të ndjeshmërisë së ndryshme që kanë shtetet anëtare ndaj tarifave të shpallura.

Politika e re tarifore e Trump, që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, ka rritur të ardhurat doganore të SHBA-së. Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit fiskal, të ardhurat kanë kaluar 100 miliardë dollarë, ndërsa në muajin qershor kanë arritur në 27 miliardë.

Nga ana tjetër, kjo qasje agresive ka tensionuar marrëdhëniet diplomatike me partnerët tradicionalë të SHBA-së, të cilët tani po shqyrtojnë mundësinë për të ulur varësinë ekonomike dhe ushtarake nga Uashingtoni.