Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po bëhet “përparim i madh” për krijimin e një baze të Ushtrisë amerikane në Poloni, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për aleancën mes dy vendeve.
Trump vlerësoi gjithashtu “lidershipin e guximshëm” të presidentit polak Karol Nawrocki. “Ky do të jetë një hap historik për aleancën tonë të madhe SHBA-Poloni”, shkroi ai.
Polonia nuk ka aktualisht një bazë të përhershme ushtarake amerikane, megjithëse në territorin e saj janë të dislokuar mijëra trupa amerikane.
Gjatë verës, Pentagoni sinjalizoi se ishte i hapur ndaj ofertës së Polonisë për të pritur një bazë të tillë, me synimin për të forcuar krahun lindor të NATO-s përballë kërcënimit të perceptuar nga Rusia.
Zhvillimi vjen në një kohë kur po diskutohet e ardhmja e pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Më herët ishte raportuar edhe për anulimin e planeve për dislokimin e përkohshëm të mijëra trupave amerikane në Poloni.
Moska ka deklaruar më herët se shtimi i pranisë ushtarake amerikane në Poloni do të ishte “i papranueshëm” dhe mund të sillte një “përshkallëzim cilësor” të tensioneve.
