Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ujërat ndërkombëtare të Ngushticës së Hormuzit janë pastruar nga minat, ndërsa ka paralajmëruar Iranin se çdo përpjekje për vendosjen e minave të reja do të marrë një përgjigje të menjëhershme ushtarake.

Përmes një postimi në Truth Social, Trump tha se Marina amerikane e kishte informuar se operacioni për çminimin e ngushticës kishte përfunduar.

Të gjitha minat janë hequr dhe/ose neutralizuar nga ujërat ndërkombëtare të Ngushticës së Hormuzit”, shkroi presidenti amerikan.

Trump deklaroi gjithashtu se Teherani është paralajmëruar se çdo anije apo mjet lundrues që do të tentojë të vendosë mina të reja në këtë zonë do të shkatërrohet.

Sipas tij, SHBA-ja ka vendosur një politikë “zero tolerance” ndaj çdo përpjekjeje për minimin e ngushticës, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.

Në të njëjtin postim, Trump tha se Shtetet e Bashkuara po përdorin edhe kapacitetet e Forcës Hapësinore për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën në rajon.

Përmes Forcës Hapësinore, ne monitorojmë çdo centimetër katror të Ngushticës”, deklaroi ai.

Trump e lidhi gjithashtu monitorimin e Hormuzit me zonën e Malit Pickaxe dhe me tre objekte të tjera bërthamore, për të cilat pretendon se janë shkatërruar.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment të tensionuar, duke rritur më tej presionin ndaj Iranit dhe duke sinjalizuar se Uashingtoni do të reagojë me forcë ndaj çdo kërcënimi të ri në Ngushticën e Hormuzit.