Donald Trump ka reaguar sërish lidhur me negociatat me Iran, duke deklaruar se çdo marrëveshje e mundshme duhet të jetë “e shkëlqyer dhe kuptimplote”, përndryshe nuk do të arrihet asnjë dakordësi.

Në një postim në Truth Social, Trump sulmoi ashpër marrëveshjen bërthamore të periudhës së administratës së Barack Obama, duke e cilësuar atë si një “katastrofë”.

Sipas Trump, një marrëveshje e re me Teheranin nuk do të ketë asnjë lidhje me JCPOA, të cilën ai e konsideron si një mekanizëm që i hapi rrugë Iranit drejt zhvillimit të armëve bërthamore.

“Do të jetë krejt e kundërta e katastrofës së JCPOA-së… Jo, unë nuk bëj marrëveshje të tilla”, shkroi Trump në reagimin e tij.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment kur administrata në Uashington po përballet me kritika dhe presion politik nga ligjvënës amerikanë, të cilët kanë ngritur shqetësime se negociatat me Iranin mund të përfshijnë lëshime të mëdha nga pala amerikane.

Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë ende, ndërsa deri më tani nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.