Presidenti i SHBA-ve Donald Trump riktheu retorikën e ashpër ndaj Iranit, duke paralajmëruar pasoja ekstreme nëse Teherani ndërmerr sulme ndaj anijeve amerikane në Gjirin Persik.
Në një intervistë për Fox News, presidenti deklaroi se Irani “do të zhduket nga faqja e dheut” në rast se guxon të godasë anijet amerikane që shoqërojnë transportet detare në rajon.
Deklarata vjen pas pretendimeve të Trump se lëvizja e lirë e anijeve në Gjirin Persik është siguruar me ndihmën e Marinës Amerikane dhe një marrëveshjeje indirekte me Iranin, të cilat u mohuan menjëherë nga Teherani.
Megjithatë, Trump theksoi se Irani ka treguar “fleksibilitet më të madh” në negociatat e paqes, duke lënë të kuptohet për zhvillime diplomatike në prapaskenë.
Ai gjithashtu nënvizoi forcimin e pranisë ushtarake amerikane në rajon: “Kemi më shumë armë dhe municione se kurrë më parë, me pajisjet dhe bazat më të mira ushtarake në botë. Mund t’i përdorim dhe do t’i përdorim nëse është e nevojshme,” deklaroi Trump, duke paralajmëruar për gatishmëri maksimale në rast konflikti.
