Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka bërë thirrje Iranit që të arrijë menjëherë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, ndërsa mediat amerikane raportojnë se Shtëpia e Bardhë po shqyrton rifillimin e bombardimeve. Trump i tha rrjetit francez BFMTV se Irani “do të kalojë nëpër kohë shumë të vështira” nëse nuk arrihet një marrëveshje, duke lënë të hapur mundësinë e përshkallëzimit.

“Nuk kam asnjë ide nëse do ta bëjnë. Nëse nuk e bëjnë, do të kenë një kohë shumë të vështirë, një kohë shumë të vështirë. Ata kanë interes të arrijnë një marrëveshje”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Më herët, “New York Times” raportoi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë angazhuar në “përgatitje intensive” për të rifilluar luftën ndaj Iranit.