Presidenti Donald Trump deklaroi të mërkurën se planifikon të dërgojë një letër të vetme për mbi 150 vende, për t’i njoftuar mbi tarifat e reja doganore që do të hyjnë në fuqi. “Të gjitha do të trajtohen njësoj,” tha Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me princin e kurorës së Bahreinit, Salman bin Hamad al Khalifa.
Aktualisht, të gjitha vendet paguajnë një tarifë bazë shtesë prej 10%, vendosur në prill nga Trump. Ai ka paralajmëruar se kjo tarifë mund të rritet në 15% apo edhe 20%, por të mërkurën nuk përmendi ndonjë përqindje specifike.
Trump ka dërguar tashmë rreth 20 letra për partnerë tregtarë kryesorë si Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut, për t’i njoftuar për tarifat që do të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Kjo ka nxitur një valë të re negociatash, me vendet që përpiqen të sigurojnë kushte më të favorshme nga SHBA.
Megjithatë, ekziston skepticizëm nëse tarifat do të zbatohen realisht nga 1 gushti, për shkak të ndikimit të mundshëm negativ në ekonomi dhe popullaritetin e Trump. Vendet si Tajvani, Zvicra dhe India, që përfaqësojnë mbi 3% të deficitit tregtar amerikan, ende nuk kanë marrë njoftim zyrtar.
Sa i përket Indisë, Trump dha sinjale të përziera: fillimisht tha se mund të ketë një marrëveshje që po vjen, ndoshta me Indinë, por më vonë shtoi se ndodhet shumë pranë një marrëveshjeje që do t’u hapë dyert.
Për Japoninë, një tjetër partner i rëndësishëm tregtar, Trump la të kuptohet se një marrëveshje është pak e mundur.
“Mendoj se ndoshta do të vazhdojmë me angazhimet që kemi,” u shpreh ai.


