Presidenti amerikan Donald Trump ka folur sërish për Groenlandën, duke e cilësuar ishullin si dhuratën më të madhe që Shtetet e Bashkuara kanë marrë ndonjëherë nga Evropa.

Gjatë një interviste për televizionin Fox News, Trump deklaroi se Evropa u ka bërë një dhuratë të jashtëzakonshme amerikanëve, duke iu referuar pikërisht Groenlandës.

“Evropa ishte e mirë. Ata thjesht u dhanë Shteteve të Bashkuara dhuratën më të madhe që kemi marrë ndonjëherë. E dini çfarë ishte? Groenlanda”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë. Një pjesë e intervistës u publikua edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në profilin e tij zyrtar në rrjetin social X.

Deklarata vjen në një kohë kur çështja e Groenlandës ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes, pas interesimit të përsëritur të Trump për marrjen e kontrollit mbi këtë territor strategjik, i cili i përket Mbretërisë së Danimarkës, por gëzon vetëqeverisje.

Në shtator, SHBA-të, Danimarka dhe Groenlanda nënshkruan një marrëveshje që synon të ulë tensionet e krijuara nga kërcënimet e mëparshme të presidentit amerikan. Dokumenti parashikon zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në ishull, përfshirë mundësinë e ndërtimit të dy bazave të reja dhe vendosjen e sistemit mbrojtës kundër raketave “Kupola e Artë”, të mbështetur nga Trump.

Megjithatë, marrëveshja konfirmon gjithashtu sovranitetin e Danimarkës mbi Groenlandën dhe të drejtën e banorëve të ishullit për të vendosur mbi të ardhmen e tyre.

Projektligji për marrëveshjen pritet të shqyrtohet në Parlamentin danez më 11 nëntor, ndërsa votimi përfundimtar është parashikuar të zhvillohet më 19 nëntor. Ajo do të hyjë në fuqi pas ratifikimit nga Danimarka dhe Groenlanda, pa qenë e nevojshme të marrë miratimin e Senatit amerikan.