Demokrati Gavin Newsom konsiderohet si kandidat me shanse në garën për presidencën e ardhshme të SHBA-së. Autoritetet kanë nisur hetime kundër guvernatorit të Kalifornisë dhe familjes së tij.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, akuzon Presidentin Donald Trump se po përdor Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së për të kryer një hetim me motive politike kundër tij dhe gruas së tij. Trumpi nuk po e synon vetëm për shkak të tweet-eve të tij keqdashëse, por sipas Newsom, kjo ndodh sepse ai ka si synim të kandidojë për President

Në ditët e fundit, zyrtarë federalë raportohet se kanë vizituar anëtarë të familjes së tij, miq dhe ish-kolegë për t’u kërkuar dokumente të vjetra. Kjo nuk po ndodh sepse zyrtarët kanë zbuluar një krim, “por thjesht sepse po përpiqen të gjejnë një të tillë,” thotë demokrati 58-vjeçar në videon e postuar në platformën online X.

Në këtë video, që zgjat gati pesë minuta, Newsom i drejtohet Trump-it drejtpërdrejt: “Ju mund të kërkoni dokumentet e mia. Ju mund të bëni hetime kundërmeje. Ju mund të më bini në qafë. Vendoseni emrin tim në çdo listë armiqsh që keni. Por lëreni gruan dhe familjen time jashtë hakmarrjes suaj personale.”

New York Times raporton se aktualisht janë duke u zhvilluar disa hetime kundër Newsom. Një prej tyre thuhet se fokusohet veçanërisht në financat e bashkëshortes së tij, Jennifer Siebel Newsom. Shtëpia e Bardhë në Uashington dhe Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ende nuk kanë reaguar ndaj kërkesave për koment.

Republikani Trump dhe demokrati Newsom konsiderohen rivalë të hershëm. Ata angazhohen rregullisht në përplasje verbale publike. Qershorin e kaluar, Presidenti i SHBA-së shkaktoi indinjatë me komentet e tij lidhur me arrestimin e mundshëm të guvernatorit të Kalifornisë. Trumpi kishte deklaruar se do të mbështeste arrestimin e Newsom-it me arsyetimin e pengimit të pretenduar të autoriteteve të imigracionit në shtetin amerikan në bregun perëndimor.

Kur u pyet se cilin krim kishte kryer Newsom, Trumpi më vonë u përgjigj se ‘krimi i tij kryesor’ ishte se kishte kandiduar për guvernator. Newsom kishte bërë sipas tij një ‘punë kaq të keqe’.

Opozita amerikane akuzon presidentin se përdor vazhdimisht Departamentin e Drejtësisë si një mjet në fushatat e tij të hakmarrjes kundër kundërshtarëve të tij personalë – dhe kështu shkel ndarjen e pushteteve. Tre shtyllat e ndarjes së pushteteve në një shtet demokratik të qeverisur nga shteti i së drejtës janë dega ligjvënëse (bërja e ligjeve), dega ekzekutive (pushteti ekzekutiv) dhe dega gjyqësore (gjykimi).

Që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë në janar 2025, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur tashmë procedura penale kundër shumë kundërshtarëve të dyshuar politikë të Presidentit ose zyrtarëve që kanë ‘humbur favorin’. Ndër ta janë ish-drejtori i FBI-së James Comey, Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James dhe ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare John Bolton. Departamenti gjithashtu ka nisur hetime ndaj zyrtarëve amerikanë që kishin konkluduar se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Në mes të janarit, Jerome Powell, atëherë Kryetar i Rezervës Federale të SHBA-së, bëri lëvizjen e pazakontë të shpalljes publike se ai ishte subjekt i një hetimi penal. Në prill, prokurorja federale përgjegjëse për çështjen, Jeanine Pirro, e konsideruar si aleate e Trumpit, e mbylli çështjen pa veprime të mëtejshme. /DW