Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë zhvilluar një bisedë telefonike 50-minutëshe këtë mëngjes, ku në fokus ishte përshkallëzimi i tensioneve midis Iranit dhe Izraelit.
Sipas njoftimit zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, dy liderët kanë diskutuar situatën e ndërlikuar në Lindjen e Mesme, me theks të veçantë te pasojat e operacionit ushtarak të Izraelit ndaj objektivave iraniane.
Nga ana tjetër, Kremlini ka konfirmuar se presidenti Putin ka dënuar veprimet e Tel Avivit gjatë bisedës me Trump. “Presidenti rus ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e konfliktit dhe rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm në rajon,” deklaroi këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov.
Moska është e kujdesshme që kjo krizë të mos ndikojë negativisht në përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin. Edhe pse administrata Trump pranoi se ishte e informuar mbi planin izraelit, Kremlini nuk ka shprehur kritika të drejtpërdrejta ndaj SHBA-së.
Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës, sipas Kremlinit, ishte theksimi i marrëdhënieve personale pozitive midis dy presidentëve – një sinjal që Moska e sheh si mundësi për të mbajtur hapur kanalet diplomatike dhe për të zvogëluar presionin ndërkombëtar, veçanërisht për çështjen e Ukrainës.
Rusia synon të ofrojë ndërmjetësim në Lindjen e Mesme, duke forcuar pozitat e saj në rajon dhe njëkohësisht duke ruajtur ekuilibrin në marrëdhëniet me Perëndimin.
