Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer vëmendjen te Groenlanda, duke e cilësuar ishullin si “dhuratën më të madhe” që Shtetet e Bashkuara kanë marrë ndonjëherë nga Evropa.

Gjatë një interviste për Fox News, Trump u shpreh se Evropa i kishte bërë një dhuratë të jashtëzakonshme Amerikës, duke iu referuar pikërisht Groenlandës.

“Evropa ishte e mirë. Ata thjesht u dhanë Shteteve të Bashkuara dhuratën më të madhe që kemi marrë ndonjëherë. E dini çfarë ishte? Groenlanda”, deklaroi presidenti amerikan.

 Fragmenti i intervistës u publikua edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social X, duke shpërndarë deklaratën e Trump për ishullin arktik.

Groenlanda është një territor vetëqeverisës i Mbretërisë së Danimarkës, me rëndësi të madhe strategjike dhe pasuri të konsiderueshme minerale. Trump ka shprehur vazhdimisht interesin e tij për marrjen e kontrollit amerikan mbi ishullin, duke shkaktuar tensione me Kopenhagën dhe autoritetet lokale.

 Në shtator, SHBA-të, Danimarka dhe Groenlanda nënshkruan një marrëveshje që synonte t’i jepte fund përplasjeve lidhur me të ardhmen e territorit. Dokumenti parashikon zgjerimin e rolit të ushtrisë amerikane në Groenlandë, përfshirë mundësinë e krijimit të dy bazave të reja ushtarake dhe vendosjen e sistemit antiraketë “Kupola e Artë”, të promovuar nga Trump.

Në të njëjtën kohë, marrëveshja riafirmon sovranitetin danez mbi ishullin dhe të drejtën e banorëve të Groenlandës për të vendosur mbi të ardhmen e tyre.

Parlamenti danez pritet ta shqyrtojë projektligjin në leximin e parë më 11 nëntor, ndërsa votimi përfundimtar është parashikuar për 19 nëntor. Marrëveshja ekzekutive do të hyjë në fuqi pas ratifikimit nga Danimarka dhe Groenlanda, pa qenë i nevojshëm miratimi i Senatit amerikan.