Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të rikthejë bllokadën ndaj porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, duke rifilluar një politikë presioni ekonomik ndaj Teheranit që ishte ndërmarrë edhe më herët këtë vit.

Masat e para u shpallën në prill, kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të ndalonin ose do të kthenin mbrapsht anijet që udhëtonin drejt ose nga portet iraniane. Sipas Uashingtonit, synimi ishte kufizimi i të ardhurave të Iranit nga eksportet e naftës dhe rritja e presionit ekonomik ndaj regjimit iranian. Në atë periudhë, Teherani e dënoi vendimin, duke e cilësuar si një akt “piraterie”.

Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka kujtuar se e drejta ndërkombëtare nuk i lejon asnjë shteti të pengojë lirinë e lundrimit në ngushticat që shërbejnë për tranzit ndërkombëtar.

Më 17 qershor, SHBA-ja dhe Irani kishin arritur një memorandum mirëkuptimi që parashikonte heqjen e bllokadës dhe rihapjen e qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit.

Në vendimin më të fundit, Trump ka njoftuar gjithashtu vendosjen e një tarife prej 20% për të gjitha ngarkesat që kalojnë në këtë korridor strategjik detar, duke deklaruar se të ardhurat do të përdoren për financimin e masave të sigurisë. Megjithatë, administrata amerikane nuk ka dhënë ende detaje mbi mënyrën se si kjo tarifë do të zbatohet në praktikë.