Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se pezullimi i përkohshëm i disa sanksioneve ndaj naftës ruse është bërë për të siguruar furnizim të mjaftueshëm me naftë në tregun global, në një kohë kur çmimet e naftës bruto janë në rritje.
Në një intervistë telefonike për NBC, Trump u shpreh se vendimi ka për qëllim stabilizimin e tregut energjetik. “Dua që të ketë naftë për botën. Dua që të ketë naftë,” tha ai.
Sipas tij, sanksionet e vendosura në vitin 2022 ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska do të rikthehen sapo të përfundojë kriza aktuale.
I pyetur për kritikat e disa udhëheqësve ndërkombëtarë ndaj këtij vendimi, Trump nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por kritikoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. “Jam i befasuar që Zelensky nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje. Zelensky të arrijë një marrëveshje, sepse Putin është i gatshëm ta bëjë këtë,” u shpreh ai.
Presidenti amerikan komentoi edhe raportimet se Rusia mund të ketë ndarë informacione të inteligjencës me Iranin për vendndodhjen e forcave ushtarake amerikane. “Ndoshta Rusia po ofron informacion, ndoshta jo,” tha Trump.
Ai shtoi se edhe Shtetet e Bashkuara po ndajnë informacione me Ukrainën. “Ne po i ofrojmë disa informacione Ukrainës dhe po përpiqemi të rivendosim paqen mes dy vendeve,” deklaroi ai.
