Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të marrin nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, duke argumentuar se Uashingtoni duhet të kompensohet financiarisht për garantimin e sigurisë në këtë kalim strategjik.
Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump tha se SHBA mund të marrë rolin e mbrojtësit të ngushticës.
“Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta menaxhojmë atë. Do të bëhemi rojtari i ngushticës. Ndoshta do ta quajmë ‘engjëlli mbrojtës’ i ngushticës. Dhe ne duhet të kompensohemi për këtë”, u shpreh ai.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës, ndërsa tensionet e fundit kanë rritur shqetësimet për furnizimin global me energji dhe ndikimin në inflacion.
Trump theksoi se vendet aleate duhet të mbulojnë koston e mbrojtjes së këtij korridori strategjik.
“Ne do ta ruajmë atë. Do të paguhemi për ta ruajtur, me shumë para. Kombet e tjera janë shumë të pasura, janë në anën tonë dhe nuk mund të pritet që ne ta bëjmë këtë falas”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai u shpreh gjithashtu se një marrëveshje e mëparshme me Iranin ishte shkelur.
“Ne kishim një marrëveshje. Ishte një marrëveshje e përfunduar, por ata e shkelën. Ata gjithmonë e shkelin. Kemi pasur 10 marrëveshje me këta njerëz, ndaj thjesht do t’i godasim shumë fort”, tha Trump.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se rikthimi i trafikut normal detar në Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur vetëm nëse ndalen ndërhyrjet ushtarake amerikane në rajon, duke paralajmëruar për pasoja në rast të vazhdimit të tyre.
