Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpm u ka dhënë nga 45 mijë dollarë në para tre prej ndihmësve të tij në Shtëpinë e Bardhë, sipas deklaratave financiare të publikuara së fundmi.
Mes tyre është edhe Natalie Harp, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Trumpit. Ajo dhe dy ndihmëse të tjera, Chamberlain Harris dhe Margo Martin, e kanë deklaruar shumën si “dhuratë në para për festat” në dokumentet e tyre financiare. Të treja kanë një pagë vjetore prej rreth 150 mijë dollarësh në administratën amerikane.
Por ish-këshilltari për etikën në Shtëpinë e Bardhë, Richard Painter, e kritikoi vendimin. “Një punonjës i Shtëpisë së Bardhë nuk është portieri i Fifth Avenue”, shkroi ai në X, duke iu referuar kufizimeve ligjore për pagesat shtesë ndaj punonjësve federalë.
Harp gjithashtu ndihmon Trumpin me postimet e tij në Truth Social, duke shkruar ato që presidenti i dikton. Për shkak të pranisë së saj të vazhdueshme pranë Trumpit, disa mbështetës të presidentit i kanë vënë nofkën “printeri njerëzor”, pasi ajo i sjell vazhdimisht informacione, materiale nga rrjetet sociale dhe mesazhe që mund t’i interesojnë presidentit.
Emri i saj u bë edhe më i njohur kohët e fundit pasi senatori demokrat Jon Ossoff e përmendi gjatë një fjalimi kritik ndaj Trumpit.
Sipas tij, ajo ka një aferë romantike me Trump.
Edhe një tjetër bashkëpunëtor i vjetër i presidentit, Walt Nauta, deklaroi se kishte marrë një dhuratë për festat nga Trump. Në dokumentet e tij financiare, Nauta deklaroi shumën prej 20 mijë dollarësh. Nauta kishte qenë më parë i akuzuar në çështjen që lidhej me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trump, por çështja ndaj tij u mbyll më vonë.



