Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me konfliktin dhe negociatat me Iranin, duke e akuzuar atë për mungesë njohurish dhe duke kritikuar gjendjen e Gjermanisë.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se Merz “nuk e ka idenë për çfarë po flet”, duke reaguar ndaj komenteve të këtij të fundit se iranianët janë më të fortë nga sa pritej dhe se SHBA-ve u mungon një strategji bindëse në negociata.

“Nëse Irani do të kishte armë bërthamore, e gjithë bota do të ishte peng. Unë po bëj diçka që të tjerët duhet ta kishin bërë shumë kohë më parë. Nuk është çudi që Gjermania po shkon kaq keq”, shkroi Trump, duke sulmuar drejtpërdrejt politikën dhe ekonominë gjermane.

Nga ana tjetër, Friedrich Merz kishte deklaruar më herët se udhëheqja iraniane po “poshtëron” Shtetet e Bashkuara dhe kishte vënë në dyshim qartësinë strategjike të Uashingtonit. Ai theksoi se hyrja në konflikte është më e lehtë sesa gjetja e një daljeje, duke sjellë si shembuj përvojat në Afganistan dhe Irak.

Sipas Merz, aktualisht nuk është e qartë se çfarë rruge do të ndjekin SHBA-të për të dalë nga kriza, ndërsa ai vlerësoi se pala iraniane po tregohet një negociatore shumë e aftë në këtë përballje.