Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rikthyer tensionet me kryeministren italiane Giorgia Meloni, vetëm pak orë para nisjes së samitit të NATO-s në Ankara.
Trump publikoi në platformën e tij Truth Social një fotografi ku Meloni shihet me shpinë pranë tij gjatë samitit të G7, të shoqëruar me mbishkrimin: “Duhet një urdhër ndalimi”.
Postimi është interpretuar nga mediat ndërkombëtare si një tjetër thumbim ndaj kryeministres italiane, pas përplasjes së fundit verbale mes dy liderëve.
Tensionet nisën pas samitit të G7 në Evian, kur Trump deklaroi publikisht se Meloni kishte kërkuar me insistim të fotografohej me të. Kryeministrja italiane reagoi menjëherë përmes një videoje në rrjetet sociale, duke u shprehur se “Unë dhe Italia nuk lutemi kurrë”.
Polemika vjen në një moment delikat për aleancën perëndimore, pasi më 7 dhe 8 korrik liderët e NATO-s do të mblidhen në Ankara për të diskutuar çështje të sigurisë globale, luftën në Ukrainë dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka deklaruar se samiti është organizuar për të shmangur tensionet mes aleatëve, por ka pranuar se qëndrimet e Trump mbeten të paparashikueshme.
Gjatë samitit, Trump pritet të zhvillojë edhe një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar që vendet anëtare të rrisin investimet në mbrojtje dhe aftësitë ushtarake.
Sipas raportimeve të Politico, retorika e ashpër e Trump ndaj aleatëve evropianë shihet si pjesë e presionit për të shtyrë vendet e NATO-s drejt rritjes së shpenzimeve ushtarake.
