Presidenti amerikan Donald Trump ka thirrur një takim urgjent këtë pasdite në Zyrën Ovale për të diskutuar hapat e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara në lidhje me situatën në Venezuelë. Takimi vjen në një kohë kur SHBA ka intensifikuar presionin ndaj vendit me operacione ndaj objektivave detare dhe me një prani ushtarake të shtuar në Karaibe.
Sipas burimeve të CNN, në mbledhje pritet të marrin pjesë figura të rëndësishme të administratës, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Shefin e Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjeneral Dan Kaine, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, si dhe Shefen e Stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles dhe zëvendësin e saj Stephen Miller.
Takimi, i planifikuar për orën 17:00, zhvillohet në një moment kur operacionet amerikane kundër anijeve të dyshuara për trafik droge janë intensifikuar dhe prania ushtarake në ujërat rreth Venezuelës është forcuar. Javën e kaluar, Trump deklaroi se SHBA do të “eliminojnë shumë shpejt” trafikun e drogës jo vetëm në det, por edhe brenda territorit.
Gjatë fundjavës, presidenti lëshoi një paralajmërim të ashpër në rrjetet sociale, duke i kërkuar linjave ajrore, pilotëve dhe rrjeteve kriminale të shmangin hapësirën ajrore venezueliane. Të dielën, ai u tha gazetarëve që “të mos i kushtonin shumë vëmendje” deklaratës së tij në Twitter.
Ndërkohë, takimi në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet mes debatit në rritje në Kongres, ku ligjvënësit kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e sulmeve amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në rajon—operacione që deri më tani kanë shkaktuar mbi 80 viktima.
