Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar vendeve anëtare të NATO-s që të ndalojnë menjëherë importin e naftës ruse, duke theksuar se një veprim i tillë do të ndihmonte në përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në një mesazh të publikuar më 13 shtator në platformën e tij Truth Social, Trump kritikoi disa shtete të aleancës për vazhdimin e marrëdhënieve tregtare me Moskën. Ai e cilësoi këtë praktikë si “tronditëse”, duke paralajmëruar se “dobëson në mënyrë të rrezikshme pozicionin tonë negociues dhe fuqinë ndaj Rusisë”.
Deklarata e tij erdhi vetëm një ditë pasi NATO nisi operacionin e ri ushtarak “Roja Lindore”, të cilin e përshkroi si të domosdoshëm për mbrojtjen e krahut lindor pas hyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë.
Trump propozoi gjithashtu vendosjen e tarifave dytësore prej 50 deri në 100 për qind ndaj Kinës për blerjen e naftës ruse, duke thënë se ato do të hiqeshin pas përfundimit të luftës. Ai shtoi se është i gatshëm të vendosë sanksione “të mëdha” kundër naftës ruse, nëse vendet e tjera të NATO-s ndërmarrin hapa të ngjashëm.
Aktualisht, Turqia renditet si blerësja e tretë më e madhe e naftës ruse në botë, ndërsa Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë furnizimin përmes naftësjellësit Druzhba, falë një përjashtimi të dhënë nga BE-ja.
Nga ana tjetër, NATO po forcon mbrojtjen kolektive me dislokimin e pajisjeve të reja ushtarake, përfshirë avionë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme tokësore të mbrojtjes. “Aleanca do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj”, theksoi gjenerali amerikan Alexus Grynkewich në konferencën për shtyp së bashku me shefin e NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel.