Donald Trump është shprehur optimist për ecurinë e ekonomisë amerikane, duke deklaruar se SHBA-ja do të kalojë periudhën aktuale të vështirë dhe do të rikthehet drejt stabilitetit ekonomik, pavarësisht rritjes së kostove të energjisë.

Gjatë një fjalimi në West Palm Beach, Trump pranoi se tregjet po përballen me presione të forta, por insistoi se situata është e përkohshme dhe e lidhur kryesisht me tensionet ndërkombëtare dhe krizën në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan e përshkroi momentin aktual si një fazë kalimtare, duke shtuar se ekonomia amerikane ka treguar më parë aftësi për t’u rikuperuar edhe në periudha të vështira.

Ai theksoi se inflacioni bazë ka shënuar nivelet më të ulëta të viteve të fundit, ndërsa shqetësimin kryesor e lidhi me rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit, të cilat sipas tij janë ndikuar drejtpërdrejt nga zhvillimet gjeopolitike.

Trump deklaroi se tensionet me Iranin dhe kufizimet në tregjet energjetike kanë ndikuar në rritjen e kostove globale, por u shfaq i bindur se çmimet do të bien ndjeshëm sapo situata ndërkombëtare të stabilizohet.

Sipas tij, masat amerikane ndaj Iranit dhe kufizimet ndaj eksporteve energjetike iraniane kanë ndikuar në furnizimin global, duke ushtruar presion mbi tregjet e karburanteve.

Megjithatë, presidenti amerikan tha se administrata e tij mbetet e fokusuar te forcimi i ekonomisë dhe kontrolli i inflacionit, duke përsëritur bindjen se SHBA-ja do të rikthehet shpejt në një fazë më të qëndrueshme ekonomike.