Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se raundi aktual i negociatave me Iranin përbën mundësinë e fundit për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit pesëmujor mes palëve.
Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, Trump tha se dialogu po vazhdon me kërkesë të disa vendeve të rajonit, mes tyre Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, si edhe vetë Irani.
“Ky është shansi i fundit që ata të nënshkruajnë një marrëveshje të mirë”, u shpreh presidenti amerikan, duke lënë të kuptohet se dështimi i bisedimeve mund të sjellë pasoja të tjera.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane vijojnë të mohojnë se po zhvillojnë negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se nuk ekzistojnë plane për takime të tilla në të ardhmen.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të mbrojë integritetin territorial dhe kufijtë, por shtoi se Teherani nuk synon zgjerimin e konfliktit.
Më herët gjatë së hënës, Trump publikoi edhe një reagim në rrjetin e tij social Truth Social, ku akuzoi udhëheqësit iranianë për mungesë sinqeriteti dhe pretendoi se ata po gënjejnë lidhur me bisedimet e paqes, të cilat sipas tij janë duke u zhvilluar, pavarësisht deklaratave zyrtare të Teheranit.
