Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi një ditë më parë, se ka urdhëruar administratën e tij dhe agjencitë përkatëse shtetërore të rindërtojnë dhe rihapin burgun famëkeq të Alcatrazit, në Gjirin e San Franciskos, në mënyrë që kriminelët më “të dhunshëm” dhe “recidivistë” të mund të dërgohen atje.
“Për një kohë shumë të gjatë, Amerika është përballur me një plagë kriminelësh, të egër, të dhunshëm, recidivistësh, llumin e shoqërisë që nuk sjellin asgjë tjetër përveç mjerimit dhe vuajtjes”, tha republikani në “Truth Social”.
“Kjo është arsyeja pse kam urdhëruar Byronë e Burgjeve, si dhe Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, që të rihapin, zgjerojnë ndjeshëm dhe rindërtojnë Alcatrazin për të strehuar kriminelët më të rrezikshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”, vazhdoi Trump.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu në të njëjtin postim se qeveria e tij nuk do të mbahet “peng” nga gjyqtarët që e pengojnë atë të deportojë “kriminelë” dhe “banditë” që “erdhën në vendin tonë ilegalisht”.
Sipas presidentit Trump, rihapja e burgut, i cili u mbyll në mars të vitit 1963, do të jetë një “simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë”.
Burgu i Alcatrazit, ku dikur mbaheshin bosët e mafias, më i njohuri Al Capone, u mbyll vetëm 29 vjet pasi u hap, për shkak të kostove të tepërta të funksionimit të tij, sipas Byrosë së Burgjeve të SHBA-së.
REBUILD, AND OPEN ALCATRAZ! For too long, America has been plagued by vicious, violent, and repeat Criminal Offenders, the dregs of society, who will never contribute anything other than Misery and Suffering. When we were a more serious Nation, in times past, we did not hesitate…
— Donald J. Trump Posts From His Truth Social (@TrumpDailyPosts) May 4, 2025