Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë e një veprimi ndaj Kubës pas përfundimit të konfliktit me Iranin, duke përdorur një formulim të paqartë që ka ngritur pikëpyetje mbi qëllimin e deklaratës.

Gjatë një prononcimi për mediat, Trump u shpreh se Uashingtoni mund të “kalojë nëpër Kubë”, pa sqaruar nëse i referohej një qasjeje politike, ekonomike apo një skenari ushtarak. Ai e përshkroi ishullin si një vend në vështirësi dhe kritikoi historinë e gjatë të qeverisjes nën Fidel Castro, duke shtuar se komuniteti kubano-amerikan është trajtuar padrejtësisht ndër vite.

Reagimi nga Havana nuk vonoi. Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel paralajmëroi se çdo përballje direkte do të ishte e pajustifikueshme dhe theksoi se vendi i tij është i gatshëm të mbrojë sovranitetin.

Deklaratat kanë shtuar tensionin në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një retorikë politike apo për një paralajmërim konkret mbi veprime të ardhshme.