Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar sërish pasojat e luftës në Ukrainë, duke u ndalur këtë herë te industria energjetike ruse. Në një postim në rrjetet sociale, ai pretendoi se sulmet ndaj infrastrukturës ruse kanë goditur rëndë sektorin e naftës dhe kanë nxjerrë jashtë funksionit një numër rafinerish.

Sipas Trump, dëmet e shkaktuara gjatë konfliktit kanë bërë që Moska të përballet me vështirësi serioze në këtë sektor.

“Rusia për fat të keq ka humbur kontrollin e industrisë së saj të naftës për shkak të luftës me Ukrainën”, shkroi presidenti i SHBA-së.

Deklarata e tij vjen në prag të takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i parashikuar të zhvillohet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Trump iu referua gjithashtu kostos së lartë njerëzore të konfliktit. Sipas shifrave të përmendura prej tij, rreth 25 mijë persona, pjesa më e madhe ushtarë, humbin jetën çdo muaj.

Presidenti amerikan përsëriti qëndrimin se luftimet duhet të ndërpriten, duke e cilësuar konfliktin si një luftë “qesharake dhe të pafundme” dhe duke bërë thirrje që palët t’i japin fund përplasjes ushtarake.