Zyrtarët e administratës Trump kanë bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të ndërmarrin sulme brenda territorit të Venezuelës, pasi aktualisht nuk ekziston asnjë bazë ligjore që do të justifikonte një veprim të tillë ushtarak.
Ligjvënësit amerikanë janë informuar se opinionet ligjore të hartuara nga Zyra e Këshillit Ligjor të Departamentit të Drejtësisë (OLC) – që shërbejnë si bazë për operacionet kundër anijeve të dyshuara për trafik droge – nuk autorizojnë goditje brenda territorit venezuelian apo në ndonjë vend tjetër. Po ashtu, urdhri ekzekutiv që nisi fushatën kundër anijeve të trafikantëve të drogës, e cila filloi në shtator, nuk përfshin objektiva tokësorë.
Sipas burimeve, opinioni aktual i OLC-së përfshin një listë me 24 kartele dhe organizata kriminale në Amerikën Latine që SHBA është e autorizuar t’i synojë. Megjithatë, administrata Trump ka kërkuar një opinion të ri ligjor që do t’i mundësonte Pentagonit të ndërmerrte sulme ndaj objektivave tokësorë pa miratimin e Kongresit. Një zyrtar amerikan sqaroi se ende nuk është marrë asnjë vendim për të ecur përpara me një ndërhyrje të tillë.
“Ajo që është e vërtetë sot, mund të mos jetë e vërtetë nesër,” deklaroi një zyrtar amerikan, duke lënë të kuptohet se Presidenti Trump nuk ka vendosur ende qasjen përfundimtare ndaj Venezuelës.
Grumbullimi i aseteve ushtarake amerikane në Karaibe, ku pritet të përfshihet edhe Ford Carrier Strike Group, ka ngritur dyshime për një sulm të mundshëm kundër Venezuelës. Por burimet zyrtare theksojnë se këto mjete janë dislokuar vetëm për operacione kundër narkotikëve dhe për mbledhjen e të dhënave të inteligjencës.
Administrata ka shmangur deri tani përfshirjen e Kongresit në fushatën ushtarake në Amerikën Latine. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë ka deklaruar se ushtria mund të ndërmarrë sulme vdekjeprurëse ndaj trafikantëve të drogës pa miratimin e Kongresit, duke argumentuar se ligji i vjetër për fuqitë e luftës nuk e detyron administratën të kërkojë bashkëpunim me ligjvënësit.
Që prej shtatorit, ushtria amerikane ka kryer 16 sulme ndaj anijeve në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor, ku janë vrarë të paktën 67 persona. Këto operacione bazohen në informacione të inteligjencës që lidhin anijet me kartele dhe organizata kriminale.
Senatori demokrat Mark Warner ka deklaruar se beson në aftësinë e shërbimeve amerikane të inteligjencës, por ka shprehur dyshime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse, duke theksuar se ndalimi i anijeve nga Roja Bregdetare do të mund të siguronte prova më të plota për trafikimin.
Nga ana tjetër, zyrtarët e administratës insistojnë se çdo operacion është i bazuar në të dhëna të sakta. Senator Marco Rubio ka theksuar se:
“Çdo sulm është rezultat i ndjekjes së kujdesshme të anijeve që dihet se ku nisen, ku shkojnë dhe cilat organizata janë të përfshira. Procesi është jashtëzakonisht rigoroz.”
Rubio shtoi se çdo ditë qindra anije monitorohen, por shumë prej tyre hiqen nga lista e objektivave pasi nuk plotësojnë kriteret për t’u goditur.
