Një kërkim i ethshëm për një djalë 4-vjeçar në shtetin amerikan të Alabamës ka përfunduar në tragjedi, pasi trupi i tij u gjet disa ditë pas zhdukjes, me qenin e familjes ende pranë tij. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka prekur opinionin publik për shkak të detajeve prekëse të rastit.

Fëmija, i identifikuar si Jonathan Everett Boley, ishte raportuar i zhdukur në mëngjesin e 31 dhjetorit nga banesa e babait të tij në një zonë rurale. Ai ishte parë për herë të fundit rreth orës 11:30. Pas raportimit të zhdukjes, autoritetet dhe dhjetëra vullnetarë nisën kërkime intensive në terrene të pyllëzuara dhe zona të vështira.

Sherifi i qarkut Walker bëri të ditur se trupi i vogëlushit u gjet rreth dy milje larg shtëpisë, pranë një rruge shtetërore në zonën Jasper. Pranë tij ndodhej edhe qeni i familjes, Buck, i cili besohet se kishte qenë me fëmijën që nga momenti i zhdukjes dhe nuk ishte larguar as pas vdekjes së tij. Autoritetet e përshkruan djalin si një fëmijë energjik që e donte natyrën dhe lojërat në ambiente të hapura.

Ndërkohë, gjatë hetimeve, babai i fëmijës, Jameson Kyle Boley, u arrestua për akuza që lidhen me posedim të pajisjeve shpërthyese dhe rrezikim të fëmijëve përmes substancave kimike. Autoritetet theksuan se këto akuza nuk lidhen drejtpërdrejt me vdekjen e djalit, ndërsa hetimet për shkaqet e humbjes së jetës së tij vijojnë.

Prindërit e Jonathan janë të ndarë dhe, sipas autoriteteve, babai kishte vetëm disa ditë në vit të drejtë vizite.