Autoritetet greke kanë arrestuar një 26-vjeçar të huaj, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së 38-vjeçares skoceze Elisabeth-Jane Ross, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje në një godinë të braktisur në Athinë.

Sipas Policisë greke, arrestimi u bë pas një hetimi disa ditor, gjatë të cilit u analizuan pamjet e kamerave të sigurisë dhe u siguruan prova që çuan te identifikimi i të dyshuarit. Gjatë marrjes në pyetje, ai dyshohet se ka pranuar përgjegjësinë për krimin.

Trupi i gruas u zbulua më 18 korrik nga një person i pastrehë, i cili hyri në ndërtesën e braktisur ku ishte lënë valixhja. Ekspertiza paraprake mjeko-ligjore ka përcaktuar se viktima kishte humbur jetën rreth pesë deri në shtatë ditë përpara zbulimit të trupit.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se pas vdekjes së saj, dikush kishte përdorur telefonin celular të 38-vjeçares për të dërguar mesazhe, duke krijuar përshtypjen se ajo ishte ende gjallë.

Identiteti i viktimës u konfirmua përmes gjurmëve të gishtërinjve. Elisabeth-Jane Ross, e cila besohet se ishte nga Edinburgu, kishte mbërritur në Greqi më 26 qershor dhe fillimisht kishte qëndruar në Pire, te disa miq. Më pas kishte planifikuar të takohej me disa shtetas amerikanë në një zonë tjetër të Athinës, por autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse ky takim u zhvillua.

Sipas dyshimeve të policisë, pas krimit, 26-vjeçari e futi trupin e viktimës në një valixhe dhe e transportoi në godinën e braktisur ku u gjet më vonë. Ai dyshohet gjithashtu se përdori kartën bankare të saj për të tërhequr para pas vdekjes së 38-vjeçares.

Gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarit, policia sekuestroi një pistoletë dhe një thikë. Ndaj tij janë ngritur akuza për vrasje, grabitje dhe shkelje të legjislacionit për armëmbajtjen.

Ndërkohë, Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar bëri të ditur se po i ofron asistencë konsullore familjes së viktimës dhe po bashkëpunon ngushtë me autoritetet greke. Edhe Policia e Skocisë konfirmoi se është në dijeni të çështjes dhe se po mbështet hetimet, ndërsa oficerët e saj janë në kontakt me familjarët e Elisabeth-Jane Ross.