Një instalacion arti që paraqiste një banane të ngjitur në një mur në një muze arti në Seul, është ngrënë nga një turist student, i cili u mbrojt duke thënë se ishte “i uritur”.

Vepra ikonë e artit e titulluar “Comedian”, nga artisti italian Maurizio Cattelan, u ekspozua si pjesë e një ekspozite të quajtur “NE” në Muzeun e Artit Leeum, i cili është i specializuar në artin tradicional korean dhe artin bashkëkohor.

Noh Huyn-soo, një student në Universitetin Kombëtar të Seulit, ishte duke vizituar ekspozitën e artit kur ndjeu se kishte shumë uri. Ai pa hezituar fare, hoqi bananen 120,000 dollarëshe nga muri dhe e hëngri të gjithën.

Pasi hëngri frutin e ndaluar, turisti i muzeut e ngjiti sërish në mur lëkurën e bananes dhe u largua me qetësi.

I pyetur nga zyrtarët e muzeut pse e dëmtoi veprën e ngrënshme, studenti tha se nuk kishte ngrënë mëngjes prandaj ishte i uritur. Në një intervistë të mëvonshme, ai tha se “dëmtimi i një vepre të artit modern mund të jetë gjithashtu vepër arti”.

A nuk është ngjitur atje për t’u ngrënë?

Artisti italian Cattelar e mori me lehtësi shkatërrimin e veprës së tij të artit, duke thënë se nuk kishte asnjë problem që turisti e hëngri. Me urdhër të artistit, banania zëvendësohet nga muzeu çdo dy ditë.