Pas gati 25 viteve të qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) po afrohet drejt fundit të jetës së tij, me NASA-n që planifikon ta çojë në de-orbit rreth vitit 2030.
Por e ardhmja e hapësirës orbitale tashmë po hartohet nga kompanitë private, të cilat synojnë të ndërtojnë dhe operojnë stacione hapësinore komerciale.
NASA po zhvillon një garë për të zgjedhur dizajnin dhe partnerët më të mirë për të krijuar një stacion të ri hapësinor, që do të përfshijë një mision provë me ekuipazh prej 30 ditësh. Ndërkohë, disa kompani private janë duke punuar që tani për të zhvilluar modelet e tyre, para se të nisë zëvendësimi i ISS.
Ndër to, kompania kaliforniane Vast Space ka nënshkruar një marrëveshje me SpaceX për të lansuar stacionin e parë hapësinor komercial, të quajtur Haven-1, planifikuar të dalë në orbitë në maj të vitit 2026.
Ky modul i vetëm do të qëndrojë në orbitë për tre vjet dhe do të mbështesë katër misione dy-javore me ekuipazh prej katër astronautësh. Dizajni i tij “human-centric” përfshin një dritare kupolë, tavolinë të përbashkët, hapësira private për gjumë dhe internet me shpejtësi të lartë përmes Starlink.
Max Haot, CEO i Vast Space, thekson: “Prioriteti ynë kryesor është të bëhemi një kompani reale e stacioneve hapësinore — të kemi një stacion në orbitë, të kemi dërguar njerëz atje dhe t’i kemi kthyer të sigurt në Tokë.”
Me një vëllim të banueshëm prej 45 metra kub (rreth një e teta e ISS-së), Haven-1 nuk synon luks, por kushtet e mira të punës për astronautët. Projekti është rritur shpejt, duke zmadhuar stafit nga 200 në 950 persona dhe duke ndërtuar tashmë modulin që do të fluturojë, me integrimin e pajisjeve të planifikuar për pranverën e vitit 2026.
Stacioni do të përdoret për kërkime në mikrogravitet dhe prodhimin e teknologjive si gjysmëpërçuesit, bashkëpunim ky që përfshin kompani si Redwire Space, e cila kryen studime mjekësore në ISS.
Përveç Vast Space, NASA bashkëpunon edhe me kompani si Starlab (Airbus dhe Northrop Grumman), Blue Origin dhe Axiom Space. Ekspertët vlerësojnë fillimin me stacione të vogla si të arsyeshëm dhe strategjik për të testuar sisteme kyçe, megjithatë sfida kryesore mbeten kostot e larta operative. Aktualisht, ISS ka kosto prej rreth 12 milionë dollarësh në ditë, ndërsa stacionet private do të duhet të ulin kostot në 2.7-5.5 milionë dollarë në ditë për të qenë të qëndrueshme.
Vast Space nuk ka dhënë shifra për koston operative, por ka deklaruar se do të ketë investuar rreth 1 miliard dollarë për projektin Haven-1, financuar nga kapital privat dhe të ardhurat nga klientët.