Turqia po analizon të gjitha opsionet e mundshme në rast të një përshkallëzimi të konfliktit mes fqinjit të saj, Iran dhe Shtetet e Bashkuara, konfirmoi një burim diplomatik turk për Reuters.

Teherani dhe Uashingtoni rifilluan negociatat më herët këtë muaj, ndërsa SHBA-të kanë shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Irani ka paralajmëruar se do të godasë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet, megjithatë diplomacia mbetet në tryezë. Kryediplomati iranian deklaroi të martën se një marrëveshje është “brenda mundësive”, nëse i jepet përparësi dialogut.

Ankaraja, e cila ndan kufirin lindor me Iranin, vlerëson se një ndërhyrje ushtarake do të sillte destabilizim në rajon. Si anëtare e NATO-s dhe aleate e SHBA-ve, por njëkohësisht vend mysliman dhe fqinj i Iranit, Turqia e konsideron diplomacinë si rrugën më të favorshme.

“Po vlerësohen të gjitha aspektet e masave që mund të merren në rast të një zhvillimi negativ,” tha burimi në kushte anonimiteti. Sipas tij, janë duke u shqyrtuar të gjithë skenarët për të garantuar sigurinë e qytetarëve turq, ndërsa çdo veprim që do të “shkelte sovranitetin e Iranit” mbetet “jashtë diskutimit”.

Burimi nuk dha detaje mbi masat konkrete që po analizohen. Ndërkohë, zyra e presidencës turke për luftën kundër dezinformimit hodhi poshtë raportimet se Ankaraja po planifikon të ndërhyjë në territorin iranian për të frenuar një fluks të mundshëm refugjatësh.