Lufta
Turqia përdori aeroplanët e saj ushtarakë për të detyruar një aeroplan civil sirian të ulet në territorin e saj, pasi kishte marrë informacione për praninë e pajisjeve ushtarake në të. Avioni qe nisur nga Moska për në Damask dhe kishte 30 pasagjerë në bord. Autoritetet turke konfiskuan pajisjet ushtarake para se të lejonin aeroplanin të vijonte rrugën. Moska protestoi duke argumentuar se jeta e nënshtetasve të vet që ishin në aeroplan, ishte rrezikuar nga veprimi i turqve, ndërsa Siria e konsideroi ngjarjen si një pirateri në ajër. Ngarkesa përbëhet nga pajisje telekomunikimi ushtarake, sipas një raporti të medias turke.
Siria po vuan një embargo të pjesshme armatimesh të vendosur nga perëndimorët dhe bota arabe, të cilët kërkojnë rrëzimin e presidentit Al Assad për t’i dhënë fund një lufte të përgjakshme që tashmë po mbyll vitin e dytë. Lufta në Siri ka kushtuar tashmë mbi 30 mijë jetë njerëzish, shumica e të cilëve janë civilë.