Avioni luftarak KAAN, prodhim i industrisë turke të mbrojtjes, ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit, duke nisur testet e lëvizjes në pistë, të cilat i paraprijnë provave të ardhshme në fluturim.
Pamjet e para të testimeve u publikuan nga Turkish Aerospace Industries (TAI), ku prototipi më i ri shihet duke kryer prova tokësore për verifikimin e sistemeve kryesore. Avioni ende nuk ka marrë skemën përfundimtare të ngjyrave, ndërsa testet synojnë të konfirmojnë funksionimin e sistemeve përpara nisjes së fluturimeve.
Versioni i parë i KAAN realizoi fluturimin inaugurues në vitin 2024, duke shënuar një moment të rëndësishëm për industrinë turke të mbrojtjes. Pas këtij suksesi, programi ka vijuar me ndërtimin e prototipeve të rinj, të cilët do të përdoren për zgjerimin e fushatës së testimeve.
Sipas Turkish Aerospace Industries, prototipet P1 dhe P2 janë të pajisur me sisteme më të avancuara dhe do të luajnë një rol kyç në fazën e ardhshme të zhvillimit.
KAAN është avioni i parë luftarak i gjeneratës së pestë i zhvilluar nga Turqia. Ai është projektuar për të zëvendësuar flotën e avionëve F-16 të Forcave Ajrore turke dhe synon të konkurrojë me avionët më modernë të kësaj kategorie, si F-35 Lightning II, J-20 dhe Su-57.
