Turqia vendos një kufi të ri për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit. Duke nisur nga 1 nëntori, fëmijët që nuk kanë mbushur 15 vjeç nuk do të mund të hapin apo përdorin llogari në platformat sociale.
Masa është zyrtarizuar përmes rregullores së publikuar në Gazetën Qeveritare dhe shoqërohet me një sistem të detyrueshëm për verifikimin e moshës së përdoruesve.
Sipas rregullave të reja, platformat do të duhet të sigurohen që personat nën 15 vjeç të mos kenë akses në shërbimet e tyre. Kontrolli do të kryhet që në momentin e regjistrimit të një llogarie.
Për këtë qëllim do të përdoret portali shtetëror dixhital “e-Devlet”. Sistemi do t’i transmetojë platformës vetëm informacionin për kategorinë e moshës së përdoruesit, pa qenë e nevojshme që identiteti i plotë i tij të bëhet i njohur për kompaninë.
Rregullorja parashikon masa të posaçme edhe për adoleshentët që kanë mbushur 15 vjeç.
Për ta, llogaritë do të konfigurohen automatikisht si private. Platformat nuk do të mund t’u shfaqin reklama të personalizuara dhe nuk do t’u lejohet zhvillimi i transmetimeve të drejtpërdrejta.
Edhe komunikimi me përdorues të tjerë do të kufizohet. Të miturit do të mund të marrin mesazhe vetëm nga llogaritë që ata vetë ndjekin, ndërsa lista e ndjekësve nuk do të jetë e aksesueshme për persona të tretë.
Një rol më të madh do të kenë edhe prindërit. Ata do të mund të ndërhyjnë në cilësimet e llogarisë, të përcaktojnë kufij për kohën e kaluar në rrjetet sociale dhe të japin miratimin për pagesat që kryhen përmes platformave.
Ndryshimet nuk prekin vetëm përdoruesit që do të regjistrohen pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Edhe llogaritë ekzistuese do të duhet t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të moshës. Afati i përcaktuar është 31 marsi 2027.
Pas përfundimit të këtij procesi, llogaritë që rezultojnë se u përkasin fëmijëve nën 15 vjeç do të mbyllen.
Me rregullat e reja, autoritetet turke synojnë të kufizojnë ekspozimin e fëmijëve ndaj rrjeteve sociale dhe njëkohësisht të rrisin kontrollin prindëror mbi aktivitetin online të të miturve.
