Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se hetimet mbi shpërthimin në hekurudhën polake kanë zbuluar se pas incidentit qëndronin Shërbimet Sekrete Ruse.

Sipas Tusk, eksplozivi ishte i porositur nga Rusia, ndërsa për ekzekutimin e aktit ishin rekrutuar dy shtetas ukrainas, duke i sjellë kështu një tjetër dimension incidentit të rëndë në Poloni.

Identitetet e kryerësve të krimit janë zbuluar dhe ata menjëherë pas shpërthimit u larguan nga Polonia drejt Bjellorusisë.

Deklarata e Tusk përforcon shqetësimet ndërkombëtare mbi përdorimin e veprimeve të dhunshme për të destabilizuar infrastrukturën kritike në Evropë dhe për të krijuar tensione rajonale.

Zyrtarët polakë kanë akuzuar drejtpërdrejt shërbimet sekrete ruse për incidentet e sabotimit hekurudhor që ndodhën gjatë fundjavës në Poloni, duke ngritur alarmin për një sulm të mundshëm të organizuar nga Moska për të destabilizuar infrastrukturën strategjike të vendit.

Sipas raportimeve të The Guardian dhe Reuters, zëdhënësi i ministrit të sigurisë së shërbimeve, Jacek Dobrzyński, deklaroi se “gjithçka tregon” se inteligjenca ruse qëndron pas këtij akti.

Dobrzyński shtoi se autoritetet polake tashmë “mund ta quajnë me siguri një akt terrorist”, duke theksuar se sulmi ishte “i iniciuar nga shërbime speciale nga Lindja”.

Incidentet përfshinë një shpërthim përgjatë një linje hekurudhore të përdorur për transportet drejt Ukrainës, të cilin kryeministri Donald Tusk e cilësoi si “një akt sabotimi të paprecedentë”.

Tusk paralajmëroi se pasoja katastrofike u shmangën fatmirësisht, pasi dëmtimi i shinave mund të kishte shkaktuar daljen nga shinat të një treni që udhëtonte me shpejtësi të lartë.

Nga ana tjetër, prokuroria polake ka hapur një hetim për “akte sabotimi me karakter terrorist të kryera në emër të një shërbimi të huaj inteligjence kundër Republikës së Polonisë”.