Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Donald Trump, duke e akuzuar këtë të fundit se po përhap informacione të rreme dhe të rrezikshme që mund të dëmtojnë rëndë shëndetin publik.
Në një fjalim të mbajtur në arenën O2 në Londër, Obama kritikoi deklaratat e Trump-it lidhur me një pretendim për lidhje mes përdorimit të Tylenol (acetaminophen) gjatë shtatzënisë dhe rrezikut për zhvillimin e autizmit tek fëmijët.
“Kemi spektaklin e pasardhësit tim në Zyrën Ovale duke bërë pretendime të gjera për disa barna dhe autizmin – pretendime që janë hedhur poshtë vazhdimisht nga komuniteti shkencor,” u shpreh Obama, duke shtuar se një sjellje e tillë përbën “dhunë ndaj së vërtetës.”
Komentet e tij erdhën pas një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku Presidenti Trump deklaroi se FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave) do të paralajmërojë mjekët për një “rrezik shumë të rritur të autizmit” nëse gratë marrin Tylenol gjatë shtatzënisë.
Deklarata të tilla kanë ngjallur reagime të fuqishme nga mjekët dhe ekspertët e shëndetit publik në SHBA dhe më gjerë. Sipas tyre, nuk ka asnjë provë të besueshme shkencore që mbështet një lidhje të tillë dhe përhapja e këtyre ideve mund të shkaktojë frikë të panevojshme tek gratë shtatzëna dhe stigmatizim ndaj familjeve me fëmijë me autizëm.
Obama theksoi se rritja e rasteve të diagnostikuara me autizëm shpesh lidhet me përmirësimin e sistemit të diagnostikimit dhe jo me ndonjë shkak të jashtëm të panjohur.
“Është e rëndësishme për ata që besojnë në të vërtetën dhe në shkencën ta ndjekin të vërtetën, edhe kur ajo është e papërshtatshme për ne,” tha Obama, duke nënvizuar rolin thelbësor që kanë faktet në vendimmarrje publike.