Një gjykatë në Siri ka lëshuar një urdhër-arresti në mungesë ndaj ish-presidentit Bashar al-Assad, në lidhje me ngjarjet e vitit 2011 në provincën Daraa vendi ku nisën protestat që më vonë u shndërruan në luftë civile. Lajmi u raportua nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA, e cila citon kryetarin e gjykatës.
Sipas deklaratës zyrtare, urdhër-arresti është bazuar në një padi të ngritur nga të afërmit e viktimave, dhe lidhet me akuza për vrasje të qëllimshme, torturë që çoi në vdekje dhe privim nga liria.
Gjykatësi që ka dhënë vendimin theksoi se ky hap “hap rrugën për ndjekje penale ndërkombëtare”, duke nënkuptuar mundësinë që çështja të përshkallëzohet në nivele më të gjera ligjore jashtë territorit sirian.
Ngjarjet e Daraa-s në vitin 2011 shënuan fillimin e protestave antiqeveritare në Siri. Dhjetëra civilë humbën jetën gjatë operacioneve shtypëse të regjimit të atëhershëm, ndërsa trazirat shpejt u përshkallëzuan në një konflikt të armatosur, duke e zhytur vendin në një luftë të përgjakshme shumëvjeçare. Daraa dhe zonat përreth për një periudhë të gjatë ishin nën kontrollin e grupit ekstremist Jabhat al-Nusra.
Pas rrëzimit nga pushteti disa muaj më parë, Bashar al-Assad u largua nga Siria dhe aktualisht ndodhet i strehuar në Moskë, ku gëzon mbrojtjen e aleatit të tij të ngushtë, Rusisë.