Një infermiere britanike dhe influencuese në Instagram, e cila u dënua pasi u kap duke tentuar të fuste në Mbretërinë e Bashkuar 32 kilogramë kanabis me vlerë rreth 160 mijë paund, është lejuar të mbajë licencën e saj profesionale.
Levi Whalley, 32 vjeçe nga Blackburn, u arrestua në dhjetor 2023 në Aeroportin e Birminghamit, së bashku me shoqen e saj Sophie Bannister, pasi autoritetet kufitare zbuluan drogën në bagazhet e tyre, shkruan The Sun.

Në valixhen e Whalley-t u gjetën 38 pako kanabis, me peshë rreth 19 kilogramë, ndërsa dy vajzat pretenduan se po ktheheshin nga një udhëtim tre-ditor në Nju Jork.
Në vitin 2025, Whalley u shpall fajtore për kontrabandë droge dhe u dënua me 16 muaj burg, me ekzekutim të pezulluar për 18 muaj, duke shmangur kështu burgimin.

Pavarësisht dënimit, një tribunal i Këshillit të Infermierisë dhe Mamisë vendosi të mos e përjashtojë nga regjistri i infermierëve. Në vend të kësaj, asaj iu vendos një pezullim 12-mujor, me arsyetimin se heqja e licencës do të ishte “joproporcionale dhe tepër ndëshkuese”.

Gjatë seancës, Whalley deklaroi se në kohën e ngjarjes po kalonte një periudhë shumë të vështirë në jetën personale. Ajo tha se fillimisht kishte besuar se do të transportonte disa ora dore nga SHBA-ja, por më pas kuptoi se në valixhe ndodhej drogë dhe pretendoi se ishte kërcënuar për të vazhduar udhëtimin.

Infermierja shprehu pendesë për veprimet e saj, duke i cilësuar ato si një “vendim shumë të gabuar”. Ajo tha se tashmë është bërë nënë, ka përfunduar 80 orë punë në komunitet dhe dëshiron të rikthehet në profesionin e infermieres.
Top Channel
