Djali i themeluesit të gjigantit të modës Mango, Jonathan Andic, është arrestuar në Spanjë në kuadër të hetimeve për vdekjen misterioze të babait të tij, Isak Andic, por më pas është liruar pasi pagoi një garanci prej 1 milion eurosh.

Sipas mediave spanjolle, 45-vjeçari u mor në pyetje nga autoritetet lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në dhjetor të vitit 2024, kur Isak Andic humbi jetën gjatë një ecjeje në zonën malore të Montserratit, pranë Barcelonës. Biznesmeni 71-vjeçar raportohet se ra rreth 100 metra në një humnerë, ndërsa ndodhej me djalin e tij.

Vdekja e themeluesit të Mango-s tronditi opinionin publik dhe shkaktoi reagime të shumta nga bota e politikës, medias dhe industrisë së modës.

Në fillim, autoritetet e trajtuan rastin si një aksident tragjik, por me kalimin e kohës hetuesit nisën të dyshonin se pas ngjarjes mund të fshihej diçka tjetër. Burime pranë hetimit thanë se policia hasi në elementë dhe mospërputhje që i larguan nga teoria e një rënieje aksidentale, duke hapur pistën e një vrasjeje të mundshme.

Mediat spanjolle raportojnë se Jonathan Andic, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të bordit të Mango-s, u paraqit para një gjyqtari në qytetin katalanas të Martorellit. Pas seancës, ai u lirua me kusht kundrejt pagesës së një garancie prej 1 milion eurosh.

Gjykata konfirmoi se çështja po hetohet tashmë nën akuzën e dyshuar për vrasje dhe urdhëroi që Jonathan Andic të mos largohet nga Spanja deri në përfundimin e hetimeve. Sipas raportimeve të gazetës El País, hetuesit nuk kanë gjetur ende prova përfundimtare mbi atë që ndodhi në momentin fatal, por dyshimet rreth rrethanave të vdekjes vazhdojnë të mbeten të forta.