Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arrestuar në Dubai shtetasin irlandez Daniel Kinahan, një nga figurat më të njohura të krimit të organizuar në Evropë.

Sipas policisë irlandeze, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes disa agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe ka qenë rezultat i një hetimi disa mujor të mbajtur në fshehtësi të plotë.

Hetuesit kanë ndjekur lëvizjet e tij për një periudhë të gjatë, duke përdorur edhe metoda monitorimi në vende publike në Dubai, përfshirë zona pranë Burj Khalifa. Arrestimi është bërë i mundur edhe pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së re të ekstradimit mes Irlandës dhe Emirateve në vitin 2025.

Daniel Kinahan akuzohet për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe krijimit të një strukture kriminale me shtrirje në më shumë se 20 vende.

Autoritetet kanë sekuestruar dhe analizuar komunikime të koduara të bashkëpunëtorëve të tij, të cilat dyshohet se kanë zbuluar urdhra dhe operacione kriminale të organizuara.

Ai kishte jetuar prej rreth një dekade në Dubai, pas largimit nga Evropa në vitin 2016, ndërsa emri i tij lidhet prej kohësh me të ashtuquajturin “kartel Kinahan” dhe me konfliktin e dhunshëm me bandën Hutch në Irlanda.

Arrestimi i tij konsiderohet nga autoritetet si një nga goditjet më të rëndësishme ndaj krimit të organizuar në Evropë në vitet e fundit.