Të paktën 25 oficerë policie që u infiltruan në grupe politike krijuan marrëdhënie me persona të thjeshtë pa ua zbuluar identitetin e tyre të vërtetë.

“The Guardian” përmes një artikulli, ka treguar sesi gratë janë mashtruar për më shumë se tre dekada.

Katër nga këta personat kanë sjellë në jetë fëmijë me këto gra. Një grua, e njohur si Jacqui, ka thënë se jeta e saj u shkatërrua pasi zbuloi rastësisht pas 20 vitesh se babai i djalit të saj ishte një oficer i infiltruar. Oficeri, Bob Lambert, i braktisi ata kur djali ishte i mitur, duke pretenduar në mënyrë të rreme se duhej të ikte jashtë vendit për t’i shpëtuar arrestimit nga policia.

“The Guardian” shkruan se gra të tjera kishin marrëdhënie që zgjatën deri në gjashtë vjet me burra të cilët fshehën faktin se ishin oficerë të infiltruar. Në artikull thuhet se më shumë se 50 gra deri më tani dihet se janë mashtruar nga oficerët e fshehtë, megjithëse totali nuk dihet për momentin dhe ka gjasa të jetë më i lartë. Gratë u shkatërruan kur zbuluan sesi burrat i kishin tradhtuar, duke i lënë ato thellësisht të traumatizuara.