Një histori e pazakontë nga Britania e Madhe ka ngjallur debat mbi drejtësinë. Leroy Douglas, sot 44 vjeç nga Cardiff, ndodhet prej 20 vitesh në burg për një vjedhje të një telefoni celular, ndonëse dënimi fillestar i tij ishte vetëm dy vjet e gjysmë.

Në vitin 2005, ai u dënua sipas një mase të ashtuquajtur “Prison for Public Protection – Burgim për Mbrojtjen e Publikut”, e cila lejonte që të burgosurit të mbaheshin pa afat të caktuar, nëse bordi i lirimit me kusht nuk e konsideronte të sigurt daljen e tyre. Megjithëse kjo masë u abrogua në vitin 2012, ajo vijon të prekë qindra të burgosur që u dënuan më parë.

Familja e tij e quan këtë dënim si një “burgim të përjetshëm”. I ati, Anthony Douglas, 63 vjeç, tregon se i biri ishte një fëmijë i zakonshëm që mori vendime të gabuara gjatë adoleshencës, por askush nuk e priste një dënim kaq drastik për një telefon.

Gjatë këtyre dy dekadave në burg, Leroy ka përjetuar humbje të mëdha familjare, përfshirë vdekjen e vajzës së tij në moshën 20-vjeçare, si dhe të gjyshërve. Sipas të atit, kjo ka rënduar ndjeshëm shëndetin e tij mendor, ndërsa zhvendosjet e vazhdueshme mes burgjeve e kanë detyruar të përsërisë trajnimet e nevojshme për të marrë në konsideratë lirimin.

Avokatë dhe aktivistë i cilësojnë dënime të tilla si drakoniane dhe të padrejta, duke kërkuar një rishikim të gjerë dhe ridënim për të prekurit. Së fundmi, një peticion i paraqitur në Downing Street kërkoi që këto dënime të hiqen edhe në mënyrë retrospektive.