Një i burgosur 47-vjeçar është arratisur nga burgu në Greqi, duke shfrytëzuar një vizitë në spital.
Sipas mediave vendase, 47-vjeçari u dërgua në repartin e kujdesit intensiv të Spitali Hipokratik i Selanikut, pasi pësoi një atak kardiak. Megjithatë, në rrethana ende të paqarta, ai arriti t’i shpëtonte vëmendjes së efektivëve të policisë që e shoqëronin dhe të arratisej.
Sipas informacioneve, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, ai hapi dritaren e dhomës së kujdesit intensiv, doli në ballkonin ngjitur dhe prej andej arriti të largohej nga ambientet e spitalit. Një oficer policie e vuri re teksa po vraponte dhe e ndoqi deri në kafenenë e spitalit, por 47-vjeçari arriti të zhdukej, ndërsa ende mbante në duar tubat intravenoz të serumit.
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme dhe prej asaj kohe autoritetet kanë nisur kërkimet për kapjen e tij.


