“Është e vështirë, por do t’ia dal edhe kësaj radhe.”- Kështu tha Silvio Berlusconi, i shtruar që nga e mërkura në terapi intensive në spitalin San Raffaele në Milano, gjatë një telefonate, siç raportohet nga ‘Ansa’.
“Kam mundur të tërhiqem edhe në situata të vështira dhe delikate”, i tha ai drejtorit të ‘Il Giornale’, Augusto Minzolini, gjatë një telefonate, përmbajtja e së cilës u publikua mëngjesin e sotëm në media.
Luigi Berlusconi, një nga djemtë e Silvios, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në spitalin San Raffaele në Milano, ku babai i tij dhe drejtuesi i Forza Italia ndodhet i shtruar që nga e mërkura e kaluar. Luigi mbërriti me makinë duke hyrë në portën në anën e Via Olgettina.
“Sapo fola me profesor Zangrillo, ai më tha se Berlusconi ka pushuar mirë dhe po reagon pozitivisht ndaj trajtimit”. Kështu deklaroi Antonio Tajani, koordinator i Forza Italia dhe ministër i Jashtëm, duke vijuar më tej: Ai na inkurajoi të gjithëve, foli me Melonin dhe Salvinin. Ai ndjek atë që po ndodh dhe po na jep indikacione”.
Berlusconi kaloi një natë të qetë, nata e dytë që ai qëndron i shtruar në terapi intensive në San Raffaele në Milano pasi u shtrua në spital të mërkurën. Sipas asaj që raportohet, Berlusconi ka reaguar mirë ndaj trajtimit dhe sot do t’i nënshtrohet testeve të reja.
Çfarë vuan Silvio Berlusconi
Lideri i Forza Itaia vuan prej disa kohësh nga leuçemia kronike dhe është shtruar në terapi intensive në spitalin San Raffaele në Milano për të trajtuar një infeksion të mushkërive si rezultat i një dobësimi të fortë të përgjithshëm të shkaktuar nga leuçemia.
Por ai është vigjilent dhe duket se i përgjigjet mirë terapisë.