Një aksident tragjik me pasoja fatale ka ndodhur në Kaliforni, ku një 19-vjeçare humbi jetën brenda një Tesla Cybertruck, pasi mbeti e bllokuar në automjetin që shpërtheu në flakë.
Krysta Michelle Tsukahara, studente në vitin e dytë në Savannah College of Art and Design, ndodhej në makinë së bashku me tre të rinj të tjerë kur automjeti doli nga rruga dhe u përplas me një pemë me shpejtësi të lartë. Ngjarja ndodhi në nëntor të vitit të kaluar, por padi ndaj kompanisë Tesla është dorëzuar së fundmi.
Sipas dokumenteve të gjykatës, vajza nuk kishte marrë plagë të rënda nga përplasja, por vdiq nga djegiet dhe thithja e tymit, pasi nuk mundi të hapte derën për të dalë. Prindërit e saj kanë paditur prodhuesin e makinës Tesla, duke e akuzuar për dizajn të rrezikshëm të dyerve, të cilat bllokohen kur ndërpritet energjia elektrike.
Në padi thuhet se sistemi elektrik i hapjes së dyerve është i pambështetur në raste emergjente, ndërsa mekanizmi manual është i fshehur dhe vështirë për t’u gjetur, veçanërisht nën panik apo flakë.
Nga aksidenti mbetën të vdekur edhe dy të rinj të tjerë, Soren Dixon (19) dhe Jack Nelson (20). Vetëm një pasagjer arriti të shpëtonte falë ndihmës së një dëshmitari që theu dritaren me një degë peme.
Hetimet paraprake tregojnë se drejtuesi i mjetit kishte konsumuar alkool dhe kokainë, çka çoi në humbjen e kontrollit, por familja e vajzës insiston se mosfunksionimi i dyerve e bëri aksidentin fatal.
Ky nuk është rasti i vetëm që vë në pikëpyetje sigurinë e automjeteve Tesla. Kohët e fundit, në Gjermani, tre persona humbën jetën në një incident të ngjashëm, ndërsa një gjykatë në Florida urdhëroi kompaninë të paguajë 178 milionë dollarë dëmshpërblim për një tjetër rast vdekjeje të shkaktuar nga një Tesla.
Kompania nuk ka reaguar ende lidhur me këtë padi.