Një 18-vjeçar me shtetësi suedeze është vënë në pranga në Spanjë, ndërsa policia po heton nëse ai është personi që ekzekutoi kirurgun plastik Alexander Aslani brenda klinikës së tij në Marbella.

Mjeku 57-vjeçar u vra mbrëmjen e së mërkurës, pasi një person i armatosur hyri në ambientet e klinikës dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij. Aslani pësoi plagë të rënda në kokë dhe nuk mundi të mbijetonte.

Vetëm disa orë pas krimit, hetimet çuan në arrestimin e 18-vjeçarit. Policia spanjolle e ka cilësuar të riun si autorin e dyshuar të vrasjes, ndërsa puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdon.

Hetuesit dyshojnë se në atentat mund të jenë përfshirë të paktën dy persona.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, personi që hapi zjarr ishte veshur me të zeza dhe, menjëherë pas sulmit, u largua nga klinika. Jashtë dyshohet se e priste një bashkëpunëtor me motor, i cili e ndihmoi të largohej me shpejtësi.

Pikërisht ky person i dytë është ende në kërkim nga autoritetet.

Krimi ndodhi ndërsa klinika ishte në aktivitet dhe brenda saj ndodheshin disa klientë. E pranishme ishte edhe bashkëshortja e Aslanit, Jeannine, e cila mbante detyrën e drejtoreshës së infermierisë në të njëjtën klinikë.

Një prej pistave që po verifikohet është ajo e një sulmi të planifikuar. Hetuesit po shqyrtojnë nëse vrasja mund të ketë lidhje me një konflikt të mëparshëm për një ndërhyrje estetike.

Mediat lokale raportojnë se një kliente, e pakënaqur me rezultatin e një trajtimi, dyshohet se kishte dërguar mesazhe kërcënuese vetëm një ditë përpara vrasjes, duke kërkuar kthimin e parave. Edhe partneri i saj raportohet se kishte shkuar më herët në klinikë dhe kishte kërcënuar pjesëtarë të stafit.

Këto rrethana janë pjesë e hetimit, por autoritetet nuk kanë konfirmuar ende se konflikti ka lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjen.

Një tjetër çështje që po verifikohet është nëse 18-vjeçari ka vepruar me iniciativën e tij apo është paguar ose porositur nga persona të tjerë për të kryer krimin.

Alexander Aslani kishte një karrierë të gjatë në kirurgjinë plastike. Ai ishte trajnuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte punuar si kirurg konsulent në spitale të Londrës dhe Birminghamit, përpara se të ushtronte aktivitetin e tij në Marbella.

Klinika e tij ofronte ndërhyrje të ndryshme estetike, përfshirë operacione të gjoksit dhe procedura BBL. Aslani njihej gjithashtu për një teknikë të quajtur “supercharged BBL”, e cila kombinonte transferimin e yndyrës me implantet.

Pas vrasjes reagoi edhe Shoqata Mjekësore e Malagës, e cila dënoi ngjarjen dhe shprehu keqardhjen për humbjen e një mjeku gjatë ushtrimit të profesionit.

Ndërkohë, mesazhe ngushëllimi janë publikuar edhe nga ish-pacientë dhe persona që e njihnin kirurgun, i cili raportohet se kishte një klientelë ndërkombëtare dhe punonte edhe me modele e personazhe publike.

Hetimi tashmë është përqendruar te përcaktimi i motivit, identifikimi dhe kapja e bashkëpunëtorit të dyshuar, si dhe zbulimi nëse pas vrasjes së kirurgut fshihet një person tjetër që mund të ketë porositur sulmin.