Pamje të reja nga kamerat e sigurisë kanë zbuluar lëvizjet e fundit të Jennifer Symonds, 44-vjeçares që u gjet e pajetë pranë lumit Thames, në Angli. Gruaja ishte parë në shoqërinë e Nelio Gouveia, 45 vjeç, i cili ka pranuar para drejtësisë autorësinë e vrasjes së saj më 6 mars.
Sipas pamjeve të publikuara nga tabloidi britanik “Daily Mail”, viktima dhe 45-vjeçari kishin mbërritur rreth orës 21:15 në një restorant mesdhetar në Henley-on-Thames, Oxfordshire, ku kishin planifikuar të kalonin mbrëmjen së bashku.
Megjithatë, takimi në restorant zgjati vetëm pak minuta, pasi një punonjës i njoftoi se kuzhina ishte mbyllur dhe nuk mund të shërbenin më ushqim.
Në regjistrimet e kamerave, Jennifer shfaqet e veshur me një pallto të gjatë të zezë, ndërsa Gouveia e ndjek nga pas, i veshur me xhaketë të zezë dhe xhinse të grisura. Pasi shkëmben disa fjalë me kamerierin, 44-vjeçarja e falënderon dhe largohet nga restoranti.
Këto konsiderohen pamjet e fundit të njohura të saj përpara vrasjes.
Mëngjesin e ditës pasardhëse, rreth orës 07:50, trupi i Jennifer Symonds u zbulua në ambientet e klubit privat Phyllis Court, pranë lumit Thames, afërsisht 800 metra larg restorantit.
Nga informacionet e bëra publike rezulton se viktima kishte kaluar një pjesë të mbrëmjes duke konsumuar pije me Gouveian. Ndërkohë, gjatë natës, mes orës 02:00 dhe 03:00, në afërsi të një pavijoni pranë klubit ishin dëgjuar zhurma dhe një përplasje.
45-vjeçari, i cili raportohet se kishte punuar më parë si ndihmës kuzhine në këtë klub, u arrestua në vendngjarje dhe u akuzua për vrasjen e gruas.
Gjatë paraqitjes në Gjykatën e Kurorës në Oxford, Gouveia pranoi fajësinë. Ai u shfaq me uniformën gri të burgut dhe ndoqi procedurën gjyqësore me ndihmën e një përkthyesi të gjuhës portugeze, duke mbajtur kokën ulur.
Gjykatësi Ian Pringle urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, ndërsa seanca për shpalljen e dënimit është planifikuar për më 20 nëntor.
Jennifer Symonds kishte një karrierë të gjatë profesionale. Për më shumë se gjashtë vite ajo kishte punuar në kompaninë teknologjike Microsoft, në zyrat britanike në Reading, ku mbante një pozicion drejtues në menaxhimin e klientëve dhe marrëdhënieve tregtare.
Ajo ishte larguar nga kompania në janar të vitit 2025 dhe, sipas dëshmive të miqve, po përballej me vështirësi për të siguruar një punë tjetër.
Një person i afërt me viktimën tregoi se Jennifer kishte kaluar një periudhë emocionalisht të vështirë. Mes shqetësimeve të saj përmendej edhe një proces gjyqësor i mëparshëm, gjatë të cilit kishte akuzuar një ish-partner për dhunë fizike. Megjithatë, i akuzuari ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata.
Pavarësisht vështirësive personale, miqtë e kujtojnë 44-vjeçaren si një grua të sjellshme, të dashur dhe të respektuar në komunitetin ku jetonte.
Jennifer banonte në qendër të Henley-on-Thames, në një apartament mbi një sallon bukurie, vetëm pak minuta në këmbë nga lumi.
Pas ngjarjes, njerëzit e afërt kërkuan që homazhet dhe lulet në kujtim të saj të vendoseshin pranë një stoli në Red Lion Lawn, një prej vendeve të saj më të dashura.
Inspektori Rob Underhill, nga Njësia e Krimeve të Rënda e Policisë së Thames Valley, shprehu ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e viktimës.
Ai dënoi ashpër veprimet e autorit dhe theksoi rëndësinë e hetimit dhe ndjekjes penale të rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa familjarët dhe miqtë e Jennifer Symonds presin vendimin përfundimtar të drejtësisë ndaj autorit që ka pranuar vrasjen e saj.
