Policia e Sussex ka njoftuar se ka arritur të identifikojë personin që besohet të jetë përgjegjës për vrasjen e 35-vjeçares Jennifer Keeley, e cila u gjet e pajetë në një strehë bregdetare në Eastbourne më 22 janar 2005. Trupi i saj kishte shenja therjesh të shumta, një plagë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës dhe ishte pjesërisht i djegur.

Hetuesit gjetën në vendngjarje një bisht cigareje me një profil të plotë gjenetik, i cili përkonte me gjurmët e ADN-së së gjetura në trupin dhe gjakun e Jennifer. Megjithatë, në atë kohë profili nuk përputhej me asnjë të dhënë në bazat shtetërore. Dy persona u arrestuan në vitin 2005, por u liruan për mungesë provash. Pas rifillimit të hetimeve vitet e fundit, policia përdori metoda të avancuara të analizës së afinitetit të ADN-së, të cilat nuk ishin të disponueshme në vitin 2005. Hetuesit identifikuan të afërm të personit misterioz dhe në verën e vitit 2024, një mostër ADN-je nga një burrë në Anglinë veriore solli “pjesën e fundit të enigmës”.

I dyshuari u identifikua si Keith Doubekin, i njohur gjithashtu si Keith Black ose Keith Broadbent, një burrë nga Anglia Veriperëndimore, i cili kishte vdekur në vitin 2014 në moshën 60-vjeçare. Policia thotë se ai kishte lidhje me komunitetin e të pastrehëve në Eastbourne, ashtu si edhe Jennifer Keeley – një element që forconte pistën hetimore. Sipas DCI Simon Dunn, Doubekin ishte arrestuar në dy raste të ndara për përdhunim në vitet 2003 dhe 2004. Por në atë periudhë, ADN-ja merrej vetëm nga personat e akuzuar zyrtarisht, jo nga ata të thjesht arrestuar, gjë që e pengoi lidhjen e tij me provat e gjetura në vendin e vrasjes.

Ai kishte dhënë gjithashtu ADN si dëshmitar në një rast tjetër vrasjeje, por për shkak se nuk ishte i dyshuar, profili i tij nuk u fut në bazën kombëtare të të dhënave. Në vitin 2018, përdorimi i teknologjive të reja të afinitetit gjenetik i lejoi Policisë së Sussex-it të ngushtonte rrethin e personave të mundshëm, derisa u arrit te identifikimi i Doubekin. Policia tha se vendimi për publikimin e identitetit të të dyshuarit u mor për shkak të “interesit të jashtëzakonshëm publik”, ashpërsisë së krimit dhe mundësisë që emri i tij të ndihmojë edhe në zgjidhjen e rasteve të tjera të pazgjidhura. Nuk ka persona të tjerë të kërkuar në lidhje me vrasjen e Jennifer Keeley.

Reagimi i familjes

Familja e Jennifer e mirëpriti zgjidhjen e çështjes pas dy dekadash: “Nëna jonë ishte e sjellshme, qesharake, krijuese, dikush që e donte muzikën dhe kujdesej shumë për të tjerët,” thanë ata në një deklaratë. Ata shtuan se dhimbja e humbjes së saj kurrë nuk do të zhduket. “Shpresojmë që historia e saj të sjellë më shumë mirëkuptim për ata që përjetojnë mungesë strehimi dhe për stigmën që rrethon shëndetin mendor.”.