Policia ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë në kuadër të hetimeve për vrasjen tragjike të Angela Shellis, 43 vjeç, e cila u gjet e vdekur më 24 tetor në qytetin bregdetar Prestatyn, në Uellsin e Veriut. Angela u gjet me goditje në kokë nga kalimtarët në orët e para të mëngjesit, dhe menjëherë pas gjetjes së trupit, djali i saj Tristan Thomas Roberts, 18 vjeç, u arrestua dhe akuzua për vrasjen e nënës së tij.
Në një paraqitje të tij në Gjykatën e Magjistraturës të Llandudno më 28 tetor, djali i Angelës konfirmoi vetëm emrin dhe datën e lindjes, ndërkohë që u la në paraburgim në pritje të procedurave të mëtejshme gjyqësore. Hetimi për këtë tragjedi vazhdon.

Familja e Angelës Shellis ka shprehur trishtimin e thellë për humbjen e saj. Ata thanë: “Angela ishte një vajzë, motër, nënë dhe teze e dashur dhe do të na mungojë shumë.”
Ndërkohë, policia ka publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë dhe po kërkon identifikimin e disa individëve që mund të kenë informacion të rëndësishëm për hetimin. Hetuesit besojnë se ata që shihen në pamjet filmike mund të jenë dëshmitarë kyç dhe janë të interesuar të flasin me ata që ndodheshin në zonën e Morfës ndërmjet orës 03:30 dhe 05:40 të mëngjesit të 24 tetorit.

