Sulmi me thikë ndaj kryetares së zgjedhur të Herdecke, Iris Stalzer, ka shkaktuar tronditje në Gjermani. Politikania është shtruar në spital në gjendje kritike pasi u godit me thikë në shtëpinë e saj. Incidenti ndodhi mesditën e së martës, kur 57-vjeçarja Iris Stalzer u gjet e mbuluar me gjak në shtëpinë e saj.

Sipas policisë, ajo ka 13 plagë me thikë në bark dhe shpinë, për këtë arsye mbetet në gjendje kritike por të qëndrueshme, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale. 48 orët e ardhshme konsiderohen vendimtare për jetën e saj.

Kryetarja e bashkisë u gjet nga djali i saj, i cili menjëherë njoftoi autoritetet. Fillimisht, djali pretendoi se nëna e tij ishte sulmuar nga disa burra në rrugë. Megjithatë, policia nuk gjeti prova për të mbështetur këtë version.

Hetuesit po marrin në konsideratë mundësinë që autori i krimit të jetë një familjar i saj. Autoritetet kanë dërguar në paraburgim dy fëmijët e adoptuar të Stalzer, të moshës 15 dhe 17 vjeç, të cilët ishin në shtëpi në kohën e incidentit . Edhe pse nuk janë ngritur akuza, policia tha se po heton të gjitha motivet e mundshme, duke përfshirë mosmarrëveshjet personale ose familjare.

Sipas transmetuesit publik WDR, dyshimet fillimisht ranë mbi djalin 15-vjeçar, i cili u vendos me pranga për të parandaluar humbjen e provave. Sipas fqinjëve u dëgjua një debat mes Stalzer dhe djalit të saj përpara se të thirreshin shërbimet e urgjencës.

Më vonë, hetimet çuan te vajza 17-vjeçare e adoptuar, e cila dyshohet si autorja kryesore e sulmit. Adoleshentja dyshohet se është përfshirë në një incident me thikë në një shkollë një vit më parë. Ky element, megjithëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, po shqyrtohet si një pjesë e mundshme e enigmës së çështjes.