Një tragjedi e rëndë tronditi ishullin e Santorinit të shtunën në mëngjes, kur një djalë gjashtëvjeçar nga India humbi jetën tragjikisht në pishinën e një hoteli në Kamari, ku po qëndronte me prindërit gjatë pushimeve.
Sipas raportimeve të Protothema, në momentin e ngjarjes në zonën e pishinës ndodheshin disa persona, por askush nuk vuri re se fëmija ishte zhytur dhe ndodhej në fund të ujit. Djali kishte gëlltitur një sasi të madhe uji dhe kishte humbur ndjenjat pa u dalluar nga askush, ndërsa prindërit e tij, 32 dhe 33 vjeç, ndodheshin gjithashtu aty pranë, por nuk e kuptuan në kohë rrezikun në të cilin ndodhej i biri.
Detaji më tronditës, sipas dëshmive, është se një person që po notonte në pishinë e preku rastësisht fëmijën me këmbë, dhe vetëm atëherë u kuptua se ai ndodhej i fundosur. Paniku përfshiu të gjithë të pranishmit, ndërsa fëmija u nxor menjëherë në sipërfaqe dhe stafi nisi përpjekjet e dëshpëruara për ta ringjallur, duke përdorur CPR dhe një defibrilator që ndodhej në vendngjarje.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, fëmija nuk reagoi. Brenda shtatë minutash mbërriti ambulanca e EKAB, e cila e transportoi në Spitalin e Thirës, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Sipas burimeve, në momentin e ngjarjes nuk kishte roje plazhi në pishinë – një fakt që ka ngritur dyshime serioze për mungesë të masave të sigurisë në hotel. Autoritetet po verifikojnë nëse pishina kishte leje funksionimi dhe dokumentacion të rregullt.
Ndërkohë, janë kryer arrestime në lidhje me incidentin dhe po hetohen përgjegjësitë e mundshme si nga ana e kompanisë, ashtu edhe nga ajo e prindërve të fëmijës. Të fundit pritet të dalin në gjykatë, pasi hetuesit po shqyrtojnë nëse ka pasur neglizhencë ose mungesë mbikëqyrjeje.
Policia po zhvillon një hetim të plotë paraprak për të përcaktuar me saktësi rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike, që ka tronditur si komunitetin vendas ashtu edhe turistët në ishullin e njohur grek.